Zëvendëstrajneri i Vllaznisë Samuel Nikaj në një dalje publike pikërisht në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa, i ka bërë thirrje specialistëve të futbollit, gazetarëve por më së shumti, tifozëve, ta mbështesin skuadrën në këtë moment të vështirë që po kalojnë. “Jemi të vetëdijshëm se nuk po kalojmë një moment të mirë dhe kemi bërë shumë gabime rrugës. Por duhet të jemi të gjithë sëbashku, me të njëjtin qëllim ashtu siç u veprua me Tiranën. Ndonëse kishte shumë pak shpresa, njerëzit e kësaj skuadre po i qëndrojnë afër dhe po bëjnë çmos ta shpëtojnë. Vllaznia dihet që nuk e ka patur mbështetjen e duhur në shumë drejtime prandaj e kërkojmë këtë ndihmë tani.

Skuadra nuk është se nuk ka prodhuar lojë. Kemi luajtur bukur në shumë ndeshje por diku na ka munguar fati, diku tjetër jemi ndëshkuar më tepër nga gabimet tona. Edhe ne e kemi të qartë se gabuam edhe në ndeshjen e fundit me Kastriotin. Në dy gola është fajtor portieri, në tjetrin mbrojtësit. Por nuk duhet të thotë se duhet ta kryqëzojmë Vujadinoviç. Ai ka patur disa probleme familjare kohët e fundit dhe ndoshta nuk ka kaluar një moment të mirë megjithatë kemi besim tek ai. Ashtu si dhe tek pjesa tjetër e skuadrës dhe besojmë se me këtë kontigjent futbollistësh mund t’ia dalim. Tre ndeshjet e fundit të fazës së dytë janë jetike për ne. Nëse nuk marrim 7 pikë në këto 3 ndeshje, gjërat do bëhen shumë të vështira në fazën e tretë. Kam besim se mund t’ia dalim, me mbështetjen e të gjithë atyre që e duan këtë Vllazni”- ka thënë zëvendësi i Canajt.
© shkodrasport.com