“Vllaznia ishte nën presion psikologjik përballë Bylisit”. Kështu e ka nisur bisedën për gazeten numri dy i pankinës së Vllaznisë, Samuel Nika, i cili më tej shton: “Skuadra nuk po arrinte të dilte në lojën e saj. Në fakt, nuk e pritëm që Bylisi të luante me një formacion disi sulmues në Shkodër. E kishim menduar ndryshe lojën, por ballshiotët na vunë në vështirësi. Në pjesën e dytë, Vllaznia e zhvendosi lojën në mesfushën e Bylisit. Kur ne po luanim më mirë, ballshiotët na goditën. Ishte një lëvizje e bukur e Kulit, që nuk erdhi si rrjedhojë e një aksioni të pastër, por më shumë nga cilësitë e tij individuale.
Megjithatë, ekipi reagoi duke e barazuar rezultatin. Ajo që dua të them, është se gjithmonë kur Vllaznia ka mundësi për t’u ngjitur lart, ndëshkohemi. Ndërsa, kur jemi në vende poshtë, luajmë më mirë. Pa dyshim kjo ka lidhje me anën psikologjike. Megjithatë, shpresoj që sa më shpejt të rikthehemi te fitoret”.
ADMIR URUÇI