Vllaznia në ndeshjen e së dielës me Besën nuk do të drejtohet në pankinë nga trajneri Agim Canaj për shkak të pezullimit të tij dyjavor nga Komisioni I Disiplinës. Skuadrën do ta drejtojë ndihmësi I tij Samuel Nikaj I cili e ka ndeshjen e tij të parë në Superligë si trajner. Duke folur për televizionin Rozafa, Nikaj ka thënë se do jetë një ndeshje e veçantë për të por nga ana tjetër ka bërë të ditur se komunikimi me Canajn do jetë I vazhdueshëm gjatë ndeshjes përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit.

“Për mua është privilegj ta drejtoj Vllazninë, madje edhe si zëvendëstrajner dhe jo më si trajner i parë. Sa për emocione nuk kam shumë sepse kamë drejtuar rreth 70-80 ndeshje me të rinjtë e Vllaznisë dhe në kategori të parë dhe më kanë ikur ato. Natyrshëm që do komunikoj vazhdimisht edhe me trajnerin Canaj përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit megjithatë kemi thuajse të njëjtën filozofi loje dhe unë i kam të qarta idetë e tij, të cilat do të kërkoj t’i përçoj tek skuadra në këtë ndeshje”- ka thënë ai. Pavarësisht se kush do të jetë në pankinë dhe pavarësisht mungesa që ka skuadra, Vllaznia do të kërkojë patjetër fitoren nesër në Kavajë ndaj Besës. Këtë gjë e ka thënë edhe zëvendëstrajneri Samuel Nikaj duke shprehur besimin e plotë për një paraqitje të mirë të kuqebluve në këtë takim. “Objektivi i Vllaznisë për këtë ndeshje është i qartë, të luajë futboll të bukur dhe të kërkojë fitoren. Kemi mungesat e Tafilit dhe Gocajt që kanë njëfarë përvojë megjithatë ata që do t’i zëvendësojnë, besoj se kanë për të dhënë më të mirën për skuadrën në mënyrë që të arrijmë rezultatin e dëshiruar”- ka thënë z.trajneri Samuel Nikaj. Besa- Vllaznia kësisoj është një ndeshje shumë interesante e cila ka një rëndësi të madhe për shkodranët për të ruajtur pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit dhe për të tentuar ngjitjen edhe më lart.

 

Gjergj KOLA