Pas përfundimit të gjysmës së parë të kampionatit të kategorisë së parë në Kosovë, gazeta “Olle” ka shpallur edhe skuadrën më të mirë të kësaj faze. Përveç 11 lojtarëve të përzgjedhur si më të mirët, ajo ka zgjedhur edhe trajnerin më të mirë. Dhe ai është shkodrani Samuel Nikaj i cili ka një kontribut të madh në sukseset e njëpasnjëshme të Flamurtarit të Prishtinës të cilin e mori në vendin e tetë dhe e shpalli “kampion të dimrit” e po ashtu e dërgoi deri në turin e katërt të Kupës së Kosovës.
“Trajneri i vetëm nga Shqipëria në Kosovë e ka nisur për mrekulli aventurën te Flamurtari. Samuel Nikaj nga djepi i futbollit shqiptar Shkodra, ka pushtuar pozitën e parë me ekipin prishtinas. I takon atij karrigia e trajnerit të “Olle” formacionit vjeshtor për Ligën e Parë”. Sigurisht që ky është një tjetër vlerësim për trajnerin shkodran i cili në të parën përvojë të tij jashtë Shqipërisë, duket se ka goditur “në shenjë” duke u bërë shpejt i preferuari jo vetëm i tifozëve të Flamurtarit, por lajmet më të fundit që qarkullojnë, flasin edhe për interesim të ekipeve të Superligës për të. Megjithatë vetë Nikaj pak ditë më parë deklaroi se ka një projekt dyvjeçar në krye të prishtinasve dhe vetëm pasi ta përfundojë atë, mund të largohet.
www.shkodrasport.com