Shënimi i golit nga Alidema në minutën e 41-të ndaj Korabit, që barazoi momentalisht shifrat, krijoi iluzionin se skuadra liqenore do të kthehej në Pogradec me të paktën një pikë. Golat e shënuar në minutat e 61-të dhe 71-të, respektivisht prej Reçit dhe Sinës, shuan çdo iluzion të liqenorëve për të marrë qoftë dhe një pikë.

“Ndeshja ndaj Korabit, kishte dy pamje. E para, ishte mjaft e mirë për ne. Nuk është vetëm goli i shënuar, por dhe loja e skuadrës ishte mjaft e mirë. Në çdo drejtim ishim të barabartë me kundërshtarin. Në të dytën, nuk ishim në nivelin që kërkohej. Pësimi i golit të dytë ishte aksidental.

Skuadra u fut në panik dhe më pas nuk prodhoi asgjë dhe sikur u pajtua me rezultatin e ndeshjes. Një fenomen i tillë na ka ndodhur dhe në takimet e kaluara, kjo sepse kemi një ekip të brishtë. Mbase dhe ambiciet për të qenë në shkallët e larta ishin të parakohshme”, tha Nikaj për “Panorama Sport”.

Nuk ka kohë për të menduar humbjen me Korabin, pasi të dielën në “Gjorgji Kyçyku” do të presin Apoloninë, që në këto dy javët e fundit sikur është zgjuar në lojën e vet. “Ndeshja me Apoloninë do të jetë një duel mjaft i luftuar nga të dy skuadrat.

Do të bëjmë maksimumin që skuadra të rikthehet te fitorja dhe të stabilizohemi në renditje, sepse jemi 3 pikë larg objektivit, që është pozicionimi në vendin e katërt”, mbylli trajneri shkodran. Pas dhjetë javësh, skuadra pogradecare është në vendin e tetë në renditje me 12 pikë.