Pas largimit nga Flamurtari i Prishtinës, trajneri shkodran Samuel Nikaj shumë shpejt mund të marrë drejtimin e një tjetër ekipi. Bëhet fjalë për Kastriotin e Krujës. Bisedimet me drejtuesit e këtij klubi kanë avancuar dhe shumë shpejt pritet të hidhet firma në kontratë. Lajmin e ka bërë të ditur në prononcimin e tij për “SHKODRA SPORT” vetë Nikaj kur thotë:
“Jam në kontakte me drejtuesit e Kastriotit dhe besoj se jemi në rrugën e mbarë të arritjes së marrëveshjes për të qenë trajneri i kësaj skuadre në sezonin e ri. Më ka bindur projekti që drejtuesit kanë dhe besoj se në ditët e ardhme do të arrijmë akordin përfundimtar”.Nikaj ngjiti me sukses Flamurtarin e Prishtinës në Superligën e Kosovës dhe tashmë duket se ka të njëjtin objektiv edhe me Kastriotin për ta ngjitur në Superligën shqiptare. Vetë ai bën të ditur se është joshur pikërisht nga ky objektiv që kanë drejtuesit krutanë ndërkohë që ka lënë të hapur edhe mundësinë e marrjes së disa futbollistëve shkodranë në këtë ekip. “Jo gjithçka ka qenë pozitive në karrierën time por kudo ku kam punuar jam munduar të bëj më të mirën. Më pëlqejnë gjithmonë sfidat e reja dhe besoj se tek Kastrioti mund të arrijmë diçka të mirë. Sa për futbollistët shkodranë, nëse unë jam trajner i kësaj skuadre, ata do ta kenë derën e hapur megjithatë të shohim si do të shkojnë gjërat deri atëherë”- ka thënë ai.Marrëveshja në mes palëve pritet të mbyllet brenda pak ditësh dhe me kalimin e Tiranës në grupin e Jugut, Kastrioti konsiderohet një nga favoritët e grupit të Veriut për ngjitjen në Superligë.
© shkodrasport.com