Burreli dhe Pogradeci meritojnë të jenë në gjashtëshen e parë të kampionatit të Kategorisë së Parë”. Kështu deklaroi trajneri Samuel Nikaj, i cili në të shkuarën i ka drejtuar të dy ekipet. I kontaktuar nga “Panorama Sport” në lidhje me ndeshjen e së hënës Pogradeci- Burreli, ku matjanët fituan 0-2, fillimisht trajneri Nikaj u shpreh:
“Kjo ndeshje, nisur nga çfarë prodhoi, për mua ishte befasuese. Për hir të së vërtetës, nuk e prisja një rezultat të tillë, por futbolli kështu e ka. Fiton kush menaxhon më mirë lojën dhe situatat e krijuara. Për rrjedhojë, Burreli meriton të komplimentohet, jo vetëm për rezultatin, por dhe për lojën e zhvilluar dhe mënyrën e menaxhimit të saj”.
Pavarësisht largimit nga liqenorët, për një farë kohe merakun e ka pasur tek ecuria e skuadrës, të cilën tashmë do ta ndjekë si tifoz i saj. Në lidhje me këtë, ai ndër të tjera shprehet: “Për të qenë i sinqertë, në dy javët e kaluara kam qenë pak në siklet, pasi gjurmët e mia në ekip ishin evidente, por u morën dy rezultate pozitive.
Në vazhdim, unë do të jem admirues i Pogradecit, sepse largimi im ishte për arsye te mia personale dhe raportet me drejtuesit dhe futbollistët i kam pasur dhe i kam fantastike. Gjithsesi, përgjegjësi për rezultatet nuk mbaj më, sepse trajnerit të ri i kam dhëne kohën e nevojshme për të implementuar idetë e veta”, vijoi trajneri shkodran.
Duke mbyllur prononcimin e tij, Nikaj i uron skuadrat për realizimin e objektivave të tyre, teksa thotë: “Të dyja skuadrave u uroj realizim të objektivave të tyre për të qenë në gjashtëshen e parë të Kategorisë së Parë, vende të cilat i meritojnë plotësisht. Këtë e them nisur nga kontingjenti i futbollistëve, lojërat që kanë zhvilluar deri tani, infrastruktura dhe kushtet me të cilat trajtohen futbollistët”.