Kategoria e Parë ka ndryshuar strukturën e saj për dy fazat e mbetura të kampionatit. Kështu, pikët e ekipeve janë përgjysmuar dhe tashmë skuadrat përgatiten për vazhdimin e dy fazave të mbetura.

Por pavarësisht kësaj formule të re, Kastrioti duket sërish i shkëputur në vendin e parë. Në një intervistë për “Vip Sport”, trajneri i Kastriotit, Samuel Nikaj është shprehur se ekipi i tij mund të jetë “Luftëtari i dytë”, nëse do të arrijë në Superiore gjatë sezonit të ardhshëm.

Tashmë Kategoria e Parë duket se ka ndërruar “fytyrë”, pas përgjysmimit të pikëve. Por “lufta” për Grupin A duket sërish e mbyllur, me Kastriotin në krye. Si e shihni vazhdimin e kampionatit?

Vazhdimi nuk është asnjëherë i thjeshtë, sepse në dukje mund të konsiderohet gjithçka e mbyllur, por të 5 ekipet që kemi rivalë janë të afta për të na vënë në vështirësi.

Kualitetet e tyre nuk duhet të diskutohen dhe na pret një finale duke nisur që nga java e ardhshme, ajo ndaj Besëlidhjes.

Ekipi i Kastriotit mund të quhet një surprizë e bukur në këtë sezon. Cili ka qenë çelësi i suksesit për këto arritje?

Çelësi i sukesit për këtë skuadër është vetëm fryma e grupit. Kemi arritur të ndërthurim në mënyrën e duhur futbollistët me eksperiencë dhe ata të rinjë, prandaj ndodhemi në kreun e këtij kampionati.

Momenti më i vështirë deri në këtë fazë të kampionatit?

Momenti më i vështirë për mua kanë qenë dy transfertat me Korabin dhe ndeshja ndaj Besës, ku unë kisha në dizpozicion gjysmën e ekipit. Në ndeshjet ndaj Korabit ia kemi dalë, ndërsa ndaj Besës ka ndodhur e kundërta dhe për këtë ndiej keqardhje.

Kastrioti është akuzuar në disa raste edhe për favorizime nga ana e arbitrave. Si i komentoni këto zëra dhe sa është favorizuar Kastrioti nga arbitrat, në këndvështrimin tuaj?

Kjo pjesa e favorizimit nga ana e arbitrave më bënë për të qeshur, pasi nuk jemi favorizuar në asnjë rast. Ajo që mund të them në këtë drejtim është fakti se arbitrimet janë më mirë se përpara dy vitesh, kur unë drejtoja në Kategorinë e Parë.

Sipas statistikave, Kastrioti është një “Tiranë” në grupin A. Nëse do të ndodheshit në të njëjtin grup me ekipin e Ze Marias, a do të kishte shanse ekipi juaj për të luftuar për ngjitjen në Superiore?

Tirana është ekipi me më tepër tituj në Shqipëri. Madje unë personalisht, pas Vllaznisë, Tirana është klubi që dua më shumë në aspektin e tifozerisë.

Por nëse heqim një paralele momentale, përveç pjesës së historisë, Tirana nuk ka asgjë më shumë se Kastrioti në anën sportive.

Një tjetër çështje e komentuar gjerësisht në Kategorinë e Parë, është edhe ndarja e ndeshjeve thuajse në çdo ditë të javës. A mund të sjellë kjo ndikim dhe prishje në garë?

Ndarja e ndeshjeve në ditët e javës nuk krijon asnjë problem. Kjo ndodh në të gjitha vendet e botës, pavarësisht se disa herë mund të favorizojë apo të vërë në presion.

Nëse do të arrini në Superiore në sezonin e ardhshëm, në cilën prej ekipeve aktuale të Superiores e shihni përfaqësimin e skuadrës tuaj?

Mund të them se nëse Kastrioti do të vazhdojë të jetë në vendin e parë deri në fundin e kampionatit, atëherë sezonin e ardhshëm mund të jemi një “Luftëtar i dytë”. /vipsport/