Samuel Nikaj është njëri nga ata trajnerët që për specialitet ka inkuadrimin e skuadrave nga Liga e Parë në kampionatet elitare. E bëri me Flamurtarin dhe Vushtrrinë në Kosovë dhe Kastriotin në Shqipëri. Këtë edicion synon ta bëjë edhe me Burrelin në Kategorinë e Parë dhe të shkruajë me germa të arta emrin e tij në sukseset e futbollit shqiptar, shkruan Gazetasheshi.com.
E veçanta e teknikut shkodran është puna e madhe që bën me futbollistët në seancat stërvitore. Madje, ai i ka përzemër futbollistët nga Kosova, pasi që i konsideron si lojtarë me karakter dhe angazhues të mëdhenj sikurse në seancat stërvitore, po ashtu edhe në ndeshje kampionale.
Në një intervistë dhënë Gazetës “Sheshi”, 43 vjeçari foli për objektivin që ka për ta arritur me Burrelin këtë edicion, të ardhmen e tij si trajner dhe pengun e madh që ka me Vëllaznimin, ekip me të cilin ishte disa herë në negociata.
– Si po shkon faza përgatitore?
Përgatitjet për stinorin pranveror të kampionatit po shkojnë shumë mirë edhe pse kushtet atmosferike na kanë prishur pak planet. Drejtuesit e klubit na kanë krijuar kushte optimale për punë dhe ne si staf jemi të përkushtuar maksimalisht për të përgatitur skuadrën për pjesën më të rëndësishme të sezonit.
– Sa janë të impenjuar futbollistët gjatë kësaj faze përgatitore?
Impenjimi i skuadrës ka qenë maksimal. Nuk ka munguar angazhimi, pasi që futbollistët janë të vetëdishëm për objektivat që kemi.
– A e ndjeni nevojën për t’u përforcuar në këtë afat kalimtar?
NIKAJ: “Realisht për lojtarë cilësorë ka nevojë çdo ekip, pavarësisht organikës që ka në dispozicion, prandaj edhe ne deri në fund të merkatos jemi në pritje për të ofruar ndonjë lojtarë që mund të na ndihmojnë në realizimin e objektivave.
-A besoni se në fund të sezonit do e arrini objektivin kryesor dhe cilat skuadra i shihni si rrezik potencial për t’ua rrezikuar këtë objektiv?
Me përbërjen e skuadrës që kemi besoj shumë në arritjen e objektivit, pavarësisht konkurencës shumë të fortë që kemi, sidomos Dinamos që është një ikonë e futbollit shqiptar, por edhe me Beslidhjen dhe Korabin që janë skuadra të mirë organizuara.
.
-Keni afruar disa futbollistë nga Kosova dhe keni kontaktuar disa të tjerë. Përse ky besim ndaj futbollistëve kosovar?
Realisht kam kontaktuar shumë futbollistë nga kampionati i Kosovës, por kushtet e mira që ka kriuar ligji për sportin në Kosovë e ka bërë të pamundur afrimin e tyre, megjithëse kam arritur të marr disa futbollistë falë njohjeve të vjetra gjatë punës time në Kosovë dhe i falenderoj që kontribojnë për ekipin tim. Lojtarët nga Kosova kanë një specifik të veçantë, pasi që kanë angazhim maksimal në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje.
-Cilat do jenë planet e Nikajt pas përfundimit të këtij edicioni?
NIKAJ: “Trajnerët nuk e kanë asnjëherë punën e sigurt. Është një zanat, prandaj për momentin mendoj vetëm të arrij objektivin që kam me skuadrën edhe pse të gjithë miqëve të mi i është dukur objektiv i pamundur, por tani pas pesë muajsh kemi arritur të ndërrojmë opinionin e analistave, pasi që tashmë na konsiderojnë si kandidat për t’u inkuadruar në Superiore”.
-A ju ka mbetur ndonjë peng në Kosovë dhe a do të ishit rikthyer për ta drejtuar sërish ndonjë klub?
Unë jam pritur mirë nga në Kosovë, si nga kolegët, po ashtu edhe nga mediat, ndaj shfrytëzoj rastin t’i falenderoj. Kam drejtuar 3 nga 10 klubet më të mira në Kosovë, por kam peng që nuk kam arritur ta drejtoj Vëllaznimin e Gjakovës, pasi që për disa herë ishim shumë afër arritjes së marrëveshjes. Por, të ardhmes nuk i dihet dhe mund të rikthehem prap në kampionatin e Kosovës, megjithëse tani jam shumë mirë te ekipi që gjendem.