Paolo Scaroni flet sërish për recetën e futbollit modern: “Qëndrueshmëria financiare është e detyrueshme. Pa të, UEFA të penalizon. Përmes qëndrueshmërisë financiare, ne jemi skuadra e Serie A që ka investuar më shumë. Rezultatet duken dhe nuk duken? Sigurisht, futbolli është kështu…”
Kështu u shpreh presidenti i Milanit lidhur me projektin e stadiumit të ri të Milanos: “Projekti i ‘San Siros’ për të cilin po punojmë sot është ‘vëllai binjak’ i atij të para gjashtë viteve dhe, pavarësisht se kanë kaluar gjashtë vite, nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë, duhet të them se ka ndryshuar edhe vizioni i qytetarëve. Nuk është ‘San Siro’ ikonë, por janë Milani dhe Interi ikonikë. Kudo që shkojmë, bëhemi ikonikë”.
Në çfarë faze është projekti: “Po fillon një proces negociatash, sepse ne (dua të them dy klubet milaneze) duhet të blejmë stadiumin, zonat përreth tij dhe të marrim lejet për të ndërtuar aktivitete shtesë për stadiumin. Personalisht, duhet të them se kam një optimizëm të caktuar”.
Stadiumet e reja janë të nevojshme për të rritur konkurrueshmërinë e kampionatit: “Para 20 vitesh, Serie A ishte kampionati referues në botën e futbollit, sot nuk është më. Kampionati anglez mbledh më shumë se 2 miliardë euro nga të drejtat televizive ndërkombëtare, ndërsa ne mezi arrijmë 200 milionë. Në këtë shifër qëndron një pjesë e madhe e diferencës”.
Scaroni theksoi rëndësinë e projektit “Milan Futuro”: “Ne po vëmë një bast të madh te të rinjtë, është investim i rëndësishëm ekonomik për të ardhmen. Në futboll, jo gjithmonë çdo projekt sjell rezultat afatshkurtër, por unë jam i sigurt. Është e qartë se jemi këtu për të fituar, ky është objektivi ynë. Tifozët tanë të kenë besim se mendojmë vetëm për t’i fituar ndeshjet”./telesport/