Ronald Kuman e pranon se Barcelona pa Mesin është më e brishtë dhe se kundërshtarët nuk kanë frikë të luajnë ndaj katalanasve. Trajneri holandez foli pas barazimit me Bilbaon duke thënë se ndihet mungesa e një kampioni si Lionel Mesi, por tani ky është realiteti dhe duhet të përshtaten me të.

Ai gjithashtu i thuri elozhe Depajit për golin që shënoi, por tha se mund të kishin shënuar edhe një tjetër. Megjithatë, timonieri i katalanasve është i kënaqur edhe me këtë barazim, pasi e pranoi që Bilbao është një skuadër shumë e fortë.

MBROJTJA – “Ishte një ndeshje shumë e madhe për futbollin. Mendoj se ne e komplikuam vetë sfidën. Ata na vunë në vështirësi dhe luajtën mirë. Duhet të dish të luash edhe si ekip i shkurtër, por edhe të luash me portierin. Na mungoi qetësia në 15 minutat e para. Ne shënuam edhe gol, por nuk e di nëse ishte faull apo jo.

Duhet t’i pranojmë vendimet e arbitrave. Duhet të vlerësoj mënyrën si luajti ekipi, edhe pse po humbnim. Barazimi ishte rezultat i drejtë. Kishim edhe mundësi për të fituar, por Bilbao është një skuadër e fortë.

Ata janë të vështirë për t’u mundur. Nuk mund të mos kënaqem me rezultatin”. DE JONG – “Ishte shumë i rëndësishëm në këtë sfidë. Luajti mes linjave dhe dha një pasim të bukur për Depajin. Ka shumë shpejtësi me topin dhe bëri një ndeshje të madhe”.

ERIK GARSIA – “Është një profesionist i vërtetë. E morëm vesh lajmin për ndarjen nga jeta të gjyshit të tij përpara ndeshjes. Pavarësisht kësaj, donte të ishte në fushën e lojës. Jemi me të në këtë moment të vështirë”.

PA MESIN – “Është e vërtetë që kundërshtarët janë më të lirë pa Mesin. Nuk më pëlqen që të flas gjithmonë për të njëjtën gjë, por jemi duke folur për më të mirin në botë. Rivalët kanë shumë frikë kur është Mesi. Edhe për ne është më mirë. Kur i jep një top atij, nuk e humbet. Kuptohet që nuk është në fushën e lojës. Tani e dimë këtë fakt dhe nuk mund ta ndryshojmë”.

PIKE – “Është një lojtar i rëndësishëm. Edhe Arauho luajti shumë mirë. Nuk ndryshoi loja. Pikesë i ndodhi i njëjti problem si në stërvitje. Mendoj se nuk është diçka e rëndë, por mund të rikthehet javën që vjen”.

DEPAJ – “Memfis ishte i rrezikshëm në pjesën e parë, por goli i tij ishte i jashtëzakonshëm. Nuk kemi shumë lojtarë në sulm. Nuk kemi alternativa edhe për shkak të dëmtimeve”.

PEDRI – “Duhet t’i jepnim patjetër pushim në mënyrë që të mos kishim shumë probleme në nëntor apo në dhjetor”.