Europa? Në Kamzë e kanë thënë edhe kur dolën të dytët se duhet të sigurojnë fillimisht qëndrimin në Superiore.
Ky kampionat nuk të lejon të bësh llogari. Është e pamundur. Është folur e stërfolur për një dështim të Partizanit, por në fund mund të sigurojë kupat e Europës, madje edhe Champions-in, pasi Kukësi i vendit të dytë vetëm 6 pikë larg është dhe kur ka edhe 9 ndeshje për t’u luajtur çdo gjë është e hapur.
Por të rikthehemi te Kamza, që pas humbjes së fundit në shtëpi me të kuqtë ka vetëm katër pikë më shumë se Vllaznia dhe pesë pikë më shumë se Teuta e vendit të parafundit.
Me të dyja këto ekipe luan në transfertë, ndaj edhe rreziku është konstant dhe duhen të paktën edhe dy fitore për ta kaluar “linjën e kuqe” të 40 pikëve.
Por në skuadrën periferike të kryeqytetit mendojnë se gjërat janë të pjekura mirë dhe se ecuria e rivalëve nuk është rastësore, ashtu si edhe fjalët që qarkullojnë.
Pas humbjes me Partizanin, kapiteni Sebino Plaku ka folur për mediat dhe i pyetur se përse te Teuta dhe Vllaznia i konsiderojnë rivalë, ai thotë:
“Nuk e di pse ekipet e tjera na llogarisin, duhet t’i pyesni ata. Nëse analizojmë situatën mund të themi se ata bazohen diku.
Ecuria e Teutës në dy fazat e para ishte ajo që ishte, ndërsa tani ndryshoi totalisht. Janë shumë pikëpyetje që nuk mund t’u përgjigjem unë.
Teuta na mundi edhe ne në shtëpi? Nuk po flas për një ndeshje. Ne kemi fituar 2 ndeshje me Laçin dhe ata janë në vend të tretë.
Nuk mund të bëhen kështu llogaritë. Po flisja në tërësi për ecurinë e Teutës, që është e çuditshme. Fjalët e njerëzve bazohen diku, nuk janë në ajër”.
Kamza tashmë ka edhe dy ndeshje mjaft të vështira që i rezervon kalendari, fillimisht me Kukësin që e pret në shtëpi dhe tashmë i duhet s’e s’bën të fitojnë, pasi në fazën e tretë kanë marrë vetëm 8 pikë, një shifër e vogël kjo, që ka bërë që edhe situata në renditje të ndryshojë shumë.
Pas sfidës me kampionët në fuqi i pret transferta e vështirë me Skënderbeun në Korçë, ndaj edhe kërkohet reagim i menjëhershëm. /EDS/