Tirana ka mbyllur çështjen e titullit, por tani bardheblutë duhet të luajnë për Taulant Seferin. Sulmuesi është në luftë për “Këpucën e Artë”, ndërsa Tirana dhe shokët do të bëjnë të pamundurën që ta çojnë te goli sulmuesin.
Seferi shënoi në sfidën me Vllazninë, fitoi një penallti që iu anulua nga VAR-i, ndërsa një tjetër nuk u pa nga gjyqtarët. Në prononcimin për “Panorama Sport”, 25-vjeçari nga Kumanova foli në lidhje me këtë sukses fantastik të arritur si dhe për objektivin e radhës që është “Këpuca e Artë”.
Taulant keni shënuar një tjetër gol me fanellën e Tiranës. Të 17-in për ju në Superiore…
Jam shumë i lumtur për atë që tregova në fushë. Për golin që shënova. Jam i kënaqur për vazhdimësinë tonë. Treguam që nuk tolerojmë askënd. Treguam mentalitetin e kampionit. Këta jemi ne. Më të fortët në fushën e lojës.
Kërkuat me ngulm edhe golin e radhës. Nuk ju dha një penallti, një ju anulua. Fati nuk donte për më shumë?
Është e vërtetë që kërkova me ngulm që të shënoja sërish. Në sfidën me Vllazninë nuk isha gati 100 për qind. Këto tri ditë kam qenë me bajame, pak temperaturë. Siç e patë, nuk kisha shumë fuqi në fushën e lojës për të vrapuar, sepse kam qenë sëmurë. Gjithsesi, them se ka kaluar dhe do të jem në formë për ndeshjen e ardhshme.
E dini që te Tirana jeni lojtari i parë që shënoni 17 gola, pas 13 vitesh?
E di që 15-16 gola i ka shënuar dikush tjetër. Jam i kënaqur dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që të shënoj akoma më shumë. Ndoshta kap edhe 22 golat, pse jo. Lajm i lumtur për këtë minirekord.
Çfarë prisni nga skuadra europiane ose më saktë aventura europiane që do të nisë Tirana?
Unë personalisht pres rezultate pozitive. Ne jemi një ekip kompakt, me rezultate të mira dhe me një mentalitet fitues. Këtë po e tregojmë edhe në fushën e lojës. Padyshim që mund të bëjmë gjëra të mëdha.
PANORAMASPORT.AL