Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” trajneri Farruk Sejdini, veç të tjerave analizon edhe situatën e trajnerëve.

“Problemi është se figura e trajnerit këtu u zhvlerësua nga sasia e madhe që dolën nga kursi. Troç muhabeti, unë nuk kam parë ndonjë shkollë që të futen 100 vetë dhe të dalin po 100 me diplomë. Këtu në Shqipëri kanë ardhur edhe italianë që të marrin licencë, pasi në Itali është shumë e vështirë.

Kjo tregon se ka qenë shumë e lehtë për ta marrë. Të kuptohemi, është licencë që njihet nga UEFA, ndaj kurset e trajnerëve te ne u bënë si Kristali dikur.

Për t’iu kthyer pyetjes suaj, janë 30 ekipe, por trajnerë dalin me mijëra. Dhe më e bukura është se në vendin tonë trajnerë bëhen ata që dalin në televizion. Sapo flasin bukur, u pëlqejnë presidentëve dhe i marrin në punë. Pastaj shkarkohen dhe trajtohen më keq se në çdo vend tjetër”, shprehet Sejdini.