Rreth një vit më parë, Franko Bushati e mbylli me basketbollin e luajtur, duke marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm në FSHB. Tashmë pas 14 muajve punë në rolin e zyrtarit në Federatën Shqiptare të Basketbollit, Bushati flet për arritjet dhe objektivat e FSHB-së.
Ai në një intervistë për mediat ka komentuar edhe polemikat që kanë shoqëruar komunitetin e basketbollit gjatë ditëve të fundit duke thënë ndër të tjera se nuk ka asgjë tendencioze ndaj asnjërit prej ekipeve pjesmarrëse në kampionat.
“Nuk dua të futem në polemika, sepse kush i shikon ndeshjet i kupton. Ne kemi ekipe që kur fitojnë është meritë e tyre, ndërsa kur humbasin është faj i arbitrave. Kështu që unë nuk dua të futem pjesë e kësaj loje, pasi çdo sportdashës i shikon mirë. Ajo që mund të them me bindje është se tendencë në arbitrim nuk ka, flas për periudhën që unë jam në federatë.
Pra jam i bindur që nuk do të shikoni asnjëherë arbitrime tendencioze, ndërsa gabimet ndodhin edhe në Euroligë. Mendoj që nuk duhet të përdoret arbitrimi si justifikim për një humbje, sepse kështu justifikohen edhe lojtarët me alibi”- është shprehur sekretari Bushati.