Një nga emrat e nderuar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, pikërisht Selami Dani, është shprehur shumë i çuditur me paraqitjen në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë të skuadrës që kërkon të shpallet nënkampione e vendit këtë sezon. Duke komunikuar pas ndeshjes me disa tifozë që ishin të vendosur pranë vendit ku ulen zakonisht veteranët e futbollit, ish- sulmuesi i njohur i viteve ’60, u ka thënë: “Kundërshtarë më të dobët se Teuta, kisha kohë pa parë në “Loro Boriçi”. Një ekip që nuk tregoi asnjë vlerë të mirë në fushë dhe është paksa e çuditshme sesi ky ekip kërkon të dalë në vendin e dytë”.
Me këto fjalë, Dani natyrisht që mbase ka mbërritur edhe në konkluzionin që niveli i futbollit shqiptar ka rënë shumë në këtë sezon. Një nga skuadrat më të mira aktualisht të kampionatit, pikërisht Teuta, në ballafaqimin me Vllaznisë, shumë pak bëri për të treguar vlerat e një skuadre të tillë. Portieri i skuadrës shkodrane, Vujadinoviç, vetëm në një apo në dy raste u vu disi në pozitë të vështirë brenda 90 minutave. Shumë pak për një nga ekipet më të mira të kampionatit. Në kushte të tilla, mjeshtrit Selami Dani apo dhe të tjerëve, sigurisht që u vjen keq se Vllaznia nuk është në të njëjtat pozita. Pavarësisht problemeve që ajo ka kaluar, ka treguar vlera më të mira se Teuta. Megjithatë futbolli ky është dhe sidomos në kampionat, gara është çështje pikësh. Durrsakët kësisoj kanë mbledhur më shumë se shkodranët që nuk duhet të kërkojnë më shumë sesa ka dhënë në fushë gjatë gjithë kampionatit.
Gjergj KOLA
(shkodrasport.com)