Pavarësisht humbjes ndaj Partizanit, në Kukës në ndeshjen e rradhës, Vllaznia do të kërkojë të marrë rezultat pozitiv. I këtij mendimi është shprehur në konferencën e sotme për shtyp portieri Erind Selimaj. Sipas tij, skuadra ka patur një ngërç psikologjik dhe po lufton për ta kaluar atë sepse mundësitë i ka për këtë gjë dhe prandaj ndaj Kukësit do të tentojë pse jo edhe fitoren.

“Kemi kaluar disa momente të vështira por besoj se mund t’ia dalim. Mendoj se kemi një ngërç psikologjik të cilin duhet ta lëmë pas njëherë e mirë. Pse jo që në Kukës, ku do të shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv. Kemi filluar qysh në fillim të javës përgatitjet për këtë ndeshje dhe profesor Gjoka duke e njohur mirë kundërshtarin, po punon shumë me ne në aspektin taktik dhe jemi të bindur se mund t’ia dalim. Edhe barazimi nuk do të ishte keq ndaj një skuadre si Kukësi por ne do hyjnë në fushë me objektivin e vetëm për fitore”- ka thënë Selimaj. Portieri ka folur edhe për formën e tij sportive teksa e ka pranuar se ka kaluar një moment jo të mirë megjithatë sipas tij, ai dhe Sherri garantojnë portën e Vllaznisë. “Kam kaluar disa momente jo të mira dhe të mos harrojmë se porta është një pozicion mjaft specifik. Gjithsesi, edhe paraqitjet e mira të Sherrit, kanë shtuar sigurinë për portën, njëkohësisht edhe konkurrencën sepse ku ka konkurrencë është gjë e mirë. Po punojmë fort që të dy në mënyrë që porta e Vllaznisë të jetë e sigurtë”- është shprehur 28 vjeçari. I pyetur sesi do të ndihej nëse Shtubina, ish- kapiteni i kuqebluve do t’i shënonte të dielen, portieri Selimaj përgjigjet: “Nuk besoj se Shtubina ka për të shënuar dhe madje jo vetëm ai por asnjë nga futbollistët e Kukësit. Jemi të vendosur për të marrë rezultat pozitiv në këtë takim. Vllaznia nuk është skuadër për të diskutuar mbijetesën. Mundësitë e saj janë për më shumë dhe pse jo, për të synuar edhe Kupat e Europës”. Në pamje të parë, takimi i së dielës konsiderohet shumë i vështirë dhe i pamundur për të marrë pikë por në kampin shkodran ka besim dhe për këtë duhet pritur.
© shkodrasport.com