Tjetër përforcim për Tërbunin e Pukës, skuadër e cila po stërvitet në Shkodër nën drejtimin e trajnerit Krepi prej më shumë se 3 javësh, ndërkohë që ka zhvillime për sa i takon merkatos, pasi ditën e djeshme nën urdhrat e trajneri Kreshnik Krepi është vënë lojtari polivalent, Senad Lekaj. 27-vjeçari vjet e nisi sezonin te Besëlidhja dhe u aktivizua në 19 ndeshje (17 titullar).
Gjatë aventurës së tij me lezhjanët ai shënoi edhe dy gola, ndërkohë që u pozicionua në shumë ndeshje si mbrojtës i djathtë, duke lënë repartin e mesfushës, aty ku ai ka luajtur zakonisht. Karriera e tij ka nisur në Shkodër, për t’u huazuar te Ada e Velipojës dhe më pas në Kosovë te Trepça. Lekaj është aktivizuar gjithashtu te skuadra e Burrelit dhe te Veleçiku, ndërkohë që në sezonin 2014-2015 ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, duke kontribuar në ngjitjen e Tërbunit në Superiore për herë të parë në histori. Pas aventurës në Pukë, ku është edhe nga lojtarët më të dashur të tifozëve, Leka luajti me Kastriotin dhe para disa ditësh ka marrë lejekalimin nga Besëlidhja dhe tashmë mund të nënshkruajë në çdo ekip që interesohet për shërbimet e tij.
© shkodrasport.com