Senad Lekaj, oferta nga dy ekipe kosovare
Luan nga fillimi i sezonit për ekipin e Trepçes dhe ka bërë një figurë përgjithësisht të mirë. Aq sa ai që tani ka marrë dy oferta nga dy ekipe të tjera të Superligës së Kosovës. Bëhet fjalë për ekipin Trepça ’89 që ndodhet në vendin e katërt të renditjes dhe ai i Vllaznimit të Gjakovës që mban vendin e dytë. Bëhet fjalë për futbollistin shkodran Senad Lekaj. Ai pas një përvoje tek Vllaznia me të cilën është ende nën kontratë, sezonin e kaluar luajti si i huazuar tek Ada. Ndërkohë nga fillimi i këtij sezoni, sëbashku me disa futbollistë të tjerë shkodranë po aktivizohen me Trepçen. Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të fazës së parë, ky ekip mban vendin e gjashtë në renditje. Vetë Lekaj nuk është shumë i kënaqur me çfarë mund të kishte dhënë për këtë skuadër edhe për vetë problemet që ka patur ajo, kryesisht financiare dhe prandaj po sheh mundësinë për të gjetur një ekip tjetër. “Dëshira ime është të tentoj të bashkohem edhe njëherë me Vllazninë tani që janë ndryshuar edhe stafet dhe nëse kjo nuk bëhet realitet, do të shoh ofertat që më kanë ardhur. Ajo e Trepça ’89 dhe e Vllaznimit, janë për momentin më të mirat dhe pas javës së ardhshme do të shohë se çfarë do bëj”-ka thënë mesfushori 22 vjeçar shkodran Senad Lekaj.