Ndërkohë që Neymar shkonte në Belo Horizonte për t’u operuar në klinikën “Mater Dei” si pasojë e dëmtimit në shputën e këmbës së djathtë, Antonie Griezmann shënoi katër gola, të mërkurën kundër Leganes, duke konfirmuar momentin e mirë të formës që po kalon.
Të dielën, në “Camp Nou”, francezi do të ketë synimin për të vazhduar ecurinë e shkëlqyer me shtatë gola në dy ndeshjet e fundit, duke shënuar ndaj Barcelonës.
Asaj që mund të jetë skuadra e tij e ardhshme, pikërisht duke zënë vendin e lënë bosh nga Neymar, që ende nuk është zëvendësuar në skemat e ekipit “blaugrana”.
Sipas asaj që shkruan gazeta e mirënjohur katalanase, Barcelona ka vendosur të investojë 100 milionë euro për të marrë Griezmann nga Atletico Madrid gjatë merkatos së verës, pasi edhe “senatorët” e ekipit, me Lionel Messi në krye, kanë dhënë miratimin për këtë transferim
Barça shpenzoi 110 milionë euro në verën e kaluar, për të marrë Ousmane Dembele nga Borussia Dortmund, që të zëvendësonte Neymar, por francezi ka qenë shumë larg pritshmërive dhe duket se tani do të investojë te një tjetër francez.
Atletico është e detyruar të lejojë largimin e Griezmann për 100 milionë euro në bazë të paktit moral që ka me lojtarin.
Në verën e kaluar, Griezmann hodhi poshtë mundësinë për të shkuar te Manchester United, sepse Atletico u dënua në merkato dhe nuk mund të bënte blerje për ta zëvendësuar. Tani ka ardhur momenti që madrilenët ta shlyejnë borxhin./telesport/