Gilman Lika, Renato Malota, Alsid Tafili dhe Olsi Gocaj janë lojtarët që ende s’kanë rinovuar me skuadrën e Vllaznisë. Ish-mesfushori i Tiranës dhe dy “ish”-at e Partizanit si Malota dhe Tafili janë në pritje të drejtuesve për të mësuar se ç’do të ndodhë me të ardhmen e tyre.

Sezonin e kaluar ishin titullarë absolutë me kuqeblutë duke dhënë një kontribut të madh për ngjitjen në Superiore. Megjithatë deri më tani askush s’i ka kontaktuar.

Duket si një “divorc” i parakohshëm, por ende ka kohë që marrëveshja e tyre të jetë e mëvonshme. Nëse s’arrihet të katër lojtarët do të shohin mundësi të tjera, ndërkohë që tashmë ata janë në “treg”.

Cilësitë e tyre janë të padiskutueshme dhe falë eksperiencës në kampionatin shqiptar, nuk do të jetë çudi nëse destinacioni i tyre të jetë diku tjetër larg ekipit shkodran./newsport/