Miqësorja e sotme me Adën do vlente më së shumti për të parë nivelin e dy futbollistëve serbë që kishin ardhur për provë pikërisht të Marko Boshkoviç dhe Marko Jaksiç. Por ditën e djeshme, për t’u provuar kishte ardhur edhe mbrojtësi afrikan, pikërisht futbollisti nga Benini, Felicien Singbo. Ai nuk është emër i panjohur për shkodranët sepse në sezonin 2004-05 pat luajtur për dy muaj me Vllazninë dhe u pat larguar prej saj në mënyrë enigmatike.

Të tre këta lojtarë sot janë provuar në miqësoren ndaj Adës. Sulmuesi Jaksiç ka luajtur vetëm 45 minuta sepse u pa qartë nga të gjithë se nuk e kishte formën fizike. Mbrojtësi serb Boshkoviç tregoi ndonjë gjë të mirë por jo aq sa për të bindur stafin drejtues të Vllaznisë ndërkohë që mbrojtësi tjetër Singbo edhe ky dha ndonjë shenjë të mirë por jo të mjaftueshme. Trajneri Vata e shprehu edhe pas ndeshjes, se “Vllaznia po kërkon lojtarë që të jenë të gatshëm për 11-shen dhe jo për të qenë alternativë e dytë apo e tretë në zgjedhjet e mia prandaj dhe të tre këta futbollistë do largohen dhe nuk bëjnë më pjesë në planet e Vllaznisë”. Kaq ka thënë ai sot ndërkohë që tashmë pritet ardhja e lojtarëve të tjerë të kësaj skuadre në mënyrë që të gjendet ata lojtarë që vërtetë i bëjnë punë kësaj skuadre.

 

shkodrasport.com