Sergio Conceição, trajneri i Milanit, mori pjesë në eventin “Coimbra Football Congress 2025”, ku dha disa deklarata, duke nisur nga zgjedhja e tij për të marrë drejtimin e kuqezinjve pas shkarkimit të Paulo Fonseca, në fund të dhjetorit:
“Doja të shkoja në një nga kampionatet më të forta në botë. Kam ëndrrën dhe objektivin për të fituar Champions League, ndaj për këtë arsye zgjodha klubin tim aktual. E dija që do të përballesha me vështirësi, sepse nuk e kam ndërtuar unë skuadrën, nuk kam kohë për stërvitje. Pavarësisht këtyre fakteve, kam detyrimin për të fituar. Megjithatë, është një klub historik që më jep mundësinë për t’iu afruar një prej objektivave të karrierës sime, pas shumë trofeve të fituar në Portugali”.
Evolucioni i futbollit në krahasim me të kaluarën: “Sot të gjithë duan t’i ndërtojnë aksionet nga mbrojtja. Edhe mua më pëlqen të luaj në gjerësi, por për këtë duhen lojtarët e duhur. Te Porto kisha një portier fantastik, që e bënte të mundur këtë, edhe te Milani e kam një të tillë”.
Kriza e Milanit pas fitimit të Superkupës: “Në 30 ditë kemi luajtur 9 ndeshje. Nuk kemi pasur kohë për stërvitje, çka është jashtëzakonisht e vështirë. Kjo do të thotë se nuk mund t’i jap identitetin tim skuadrës. Pas fitores së Superkupës ndaj Interit, barazuam 1-1 me Cagliarin për shkak të një gabimi individual, gjë që ndodh. Që atëherë, çdo ditë përmenden emra të rinj trajnerësh për Milanin…”
Filozofia e tij mbi trajningun dhe jetën: “Një trajner nuk duhet të kuptojë vetëm futbollin. Nëse njeh vetëm futbollin, nuk di asgjë. Për një periudhë të jetës më është dashur ta ndihmoj familjen time ekonomikisht. Kam ndihmuar një kushëri të shesë në treg. Isha një person introvert, por ajo periudhë më bëri të jem ai që jam sot. E jetoj jetën me pasion dhe vlerësoj çdo moment të saj”./telesport/