Nuk ka qenë një penallti ajo e cila ka ndezur luftën mes Nejmar dhe Mbape që ka shpërthyer në ndeshjen e fundjavës kundër Montpelje. Mediat franceze kanë zbuluar se shkaku i vërtetë i përplasjes mes dy yjeve, kanë qenë zërat e merkatos.

Nejmar mori topin dhe nuk lejoi Mbape të gjuante penalltinë e dytë në ndeshjen e fundjavës, duke shënuar golin e dytë për skuadrën e tij. Më pas, ai pëlqeu në rrjetet sociale postimet kundër Mbape dhe kjo u kthye në temën e ditës në mediat franceze e jo vetëm. Sipas “L’Eqipe”, nuk ka qene fakti se Mbape është gjuajtësi i parë i penalltive ajo që ka sjellë në këtë situatë.

Lojtari brazilian është inatosur nga fakti se Mbape në asnjë moment gjatë verës nuk doli në mbrojtje të tij, kur diskutohej largimi nga PSG-ja dhe për më tepër, mendohet se ka qenë pro një lëvizje të tillë nga klubi. Një situatë që ka sjellë këtë tensionim mes dy yjeve dhe ka detyruar klubin të ndërhyjë duke kërkuar një takim për të sqaruar gjithçka.

Megjithatë, francezët insistojnë se për momentin paqja është vënë nga Serxhio Ramos. Ky i fundit është kthyer në negociatorin mes dy lojtarëve duke tentuar në çdo mënyrë që të qetësojë ambientin në klubin ku përplasjet mes yjeve kanë qenë të zakonshme në gjithë këto vite.