Kike Setien do të debutojë ditën e nesërme ndaj Granadës si trajner i Barcelonës. Në konferencën e sotme 61-vjeçari është munduar të tregojë se çdo lojtar është i vlefshëm dhe do të ketë mundësitë e tij për të luajtur. Ai shton se do të shikojë me vëmendje lojtarët e Barcelona B, ku së shpejti do i bashkohet Rei Manaj.
“Është e vërtetë që mund të ketë një hierarki mes lojtarëve në lidhje me hedhjen në fushë, megjithatë duhet të them se ata duhet të mendojnë se të gjithë kanë mundësi të fitojnë pozicionin. Vidal është një lojtar i vlefshëm po aq sa të tjerët. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Riki Piug. Formacionet e ndeshjeve stërvitore që kam përdorur gjatë javës nuk kanë asnjë lidhje me ato në ndeshje. Të rinjtë do të kenë një vëmendje të veçantë. Nuk është çudi të shihni shpejt lojtarë të Barcelona B, të integrohen në ekipin e parë.
Për mua të gjithë kanë të njëjtin rol. Është e vërtetë që unë i jap rëndësi rreshtimit dhe disa lojtarë priren të lëvizin më lirshëm. Është diçka që do moderuar sepse siç kemi nevojë të sulmojmë, qëndron e njëjta gjë edhe për t’u mbrojtur. Të gjithë e kuptojmë stilin e lojës dhe ADN-në e Barçës, por jo të gjithë e dimë se ç’janë në gjendje lojtarët të bëjnë. Duhet të mësojmë dhe përmirësohemi”, përfundoi Setien. /VipSport/