Ekipet e Superiores kanë filluar prej disa ditësh përgatitjet për sezonin 2024-25. Ka nga ato skuadra që marrin pjesë në kompeticionet europiane që po zhvillojnë përgatitjet madje prej javësh. Dhe që kanë përfunduar edhe fazën verore jashtë vendit. Duke u bërë gati për debutimet sezonale që do vijnë javën tjetër.

Po ashtu ekipet e elitës së futbollit tonë janë munduar të bëjnë edhe merkato. Duke afruar futbollistë që mund ti ndihmojnë në realizimin e objektivave. Megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare se kur mund të fillojë edicioni i ri i Superiores. Burime pranë gazetës “Shkodra Sport” tregojnë se një datë për nisjen e sezonit të ri ekziston dhe ajo është data 23 gusht. Megjithatë ende e pakonfirmuar nga ana e federatës së futbollit.

Po ashtu nëse nisja e sezonit do konfirmohet në datën 23 gusht, përfundimi i tij do jetë në datën 17 maj. Gjithashtu besohet se FSHF do e rikonfirmojë skemën e sezonit të shkuar, atë të “final 4”. Ku 4 ekipet e renditura të para gjatë sezonit të rregullt prej 36 javësh do përballen mes tyre në ndeshjet “play off” për fitimin e titullit dhe kualifikimin në kupat e Europës.

Momentalisht gjithçka është në kuadrin e zërave për nisjen e sezonit të ri. Sepse shpesh kemi parë në vitet e shkuara që data e nisjes të kampionatit ka ndryshuar shumë herë. Kjo për faktin se shumë skuadra nuk janë gati për startimin duke shfaqur problematika të ndryshme. Fakt që në të shkuarën ka bërë shpesh të ndryshojë data e fillimit të kampionatit.
Endri ÇINARI