Javët e fundit janë shënuar rritje të rasteve të infektimit me koronavirus në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë, ku rastet më të shumta janë regjistruar në Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Dhe pikërisht nga Premier League angleze na vjen lajmi që janë zbuluar 14 raste aktive në 12 prej klubeve elitare.
Shifrat nuk janë zyrtare, por Premier League pritet të publikojë rezultatet para fillimit të kampionatit më 12 shtator.

Rastet pozitive kanë dalë gjatë testimeve të fundit në 12 kampet ku aktualisht këto klube të Premier Ligës po zhvillojnë fazën e tyre përgatitore. Kampionët e Liverpulit kanë një rast pozitiv, të cilin e kanë izoluar.

Por sipas “The Telegraph”, shqetësimi më i madh i klubeve është fakti se shumë futbollistë i kanë kaluar pushimet e verës në praninë e njëritjetrit, duke rrezikuar që të kemi një infektim masiv në ekipet e tyre ditët e ardhshme.