Opinion nga Gjergj KOLA

Nisja e sezonit të ri futbollistik pritet të jetë edhe prova e vërtetë për shumë futbollistë të rinj shkodranë. Të ardhur nga Akademia Vllaznia ata tashmë kanë mundësinë më të mirë për të treguar vlerat e tyre të vërteta. Në këtë qytet shumë futbolldashës ka një dilemë të madhe nëse futbollistët e rinj mund të jenë baza mbështetëse e ekipit apo jo. Kjo ngaqë çdo sezon kuqeblutë po marrin 10-12 futbollistë “jabanxhinj” shumica e të cilëve nuk ka lënë asnjë vlerë tek ky ekip. Në kushte të tilla është duke u përkrahur shumë politika e drejtuesve të klubit në fillim të këtij sezoni për t’i besuar elementit të ri. Vetëm nga ekipi i 19 vjeçarëve janë bashkuar me ekipin e parë në stërvitje nga dita e djeshme disa futbollistë. Madje një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e kësaj skuadre që sezonin e kaluar. Janë mbrojtësit Pjeshka e  Balaj, mesfushorët Vecaj, Kozmaj, Borshi, Hepaj dhe Ymeri si dhe sulmuesi Idrizi. Nga gjithë këta futbollistë pritet që disa prej tyre të jenë zbulimi i kësaj skuadre në sezonin e ri. Atyre u ka ardhur shansi të provojnë sesa vlejnë dhe prandaj duhet t’ tregojnë këto vlera në fushën e stërvitjes dhe më pas të bindin stafin drejtues për t’i aktivizuar edhe në ndeshjet zyrtare.Megjithatë duhet parë edhe se kush do të jetë trajneri i ri dhe sa do t’u besojë ai atyre. Të rinjtë megjithatë e kanë shansin në dorën e tyre. Sigurisht duke punuar fort në stërvitje në mënyrë që të bindin trajnerin dhe të gjithë për vlerat e tyre. Kjo bëhet sigurisht duke ulur edhe kokën dhe duke qenë korrekt në stërvitje dhe kudo tjetër. Fakti që në ditën e tretë të stërvitjes, 4-5 futbollistë të rinj kanë shkuar me vonesë në stërvitje dhe nuk janë pranuar nga trajneri të bashkohen me grupin, tregon më së miri se këta të rinj mbi të gjitha duhet të disiplinohen. Kjo nuk është pak madje është thelbësore për karrierën e tyre të saponisur.