Vllaznia ndodhet në një pikë të sezonit ku mund të vendoset shumë për fatet e kuqebluve. Me një këmbë në gjysmëfinalen e kupës pas fitores 3-1 kundër Partizanit dhe po ashtu vetëm 5 pikë larg kreut të Superiores, shkodranët janë në garë për çdo objektiv. Me një transfertë këtë javë në Durrës kundër Teutës.

E po ashtu ndeshjet kundër Partizanit në kampionat dhe kupë do jenë shumë përcaktuese. Në këtë moment tek 9 herë kampionët e vendit patjetër që duan të kenë në formën maksimale çdo futbollist. Një dyshe nga e cila janë sytë për të bërë diferencën dhe nga e cila pritet shumë është Balaj-Latifi. Sulmuesi i ardhur në janar ende nuk ka gjetur golin.

Niveli i treguar nga shtatlarti patjetër që ka qenë i kënaqshëm, por sulmuesi matet me gola. Dhe një i tillë duhet për të zhbllokuar edhe sulmuesin e kombëtares, që duhet të tregojë klasin që mban.

Po ashtu edhe Latifi nuk ka qenë në gjendjen e tij më të mirë fizike pas rikthimi nga dëmtimi. Fantazisti pas dy ndalesave rradhazi nga dëmtimet është rikthyer së fundmi.

Por duke munguar me shpërthimet edhe driblimet e tij. Të gjithë në Shkodër i kanë sytë nga kjo dyshe për të bërë diferencën. Kjo edhe vetë nga cilësitë që kanë e eksperienca e tyre ndër vite në kampionate të ndryshme.

Duke parë që edhe kampionati e kupa sa vijnë e vështirësohen, kontributi i Balajt dhe i Latifit është shumë i rëndësishëm në këto momente.
Endri ÇINARI