Takimi i nesërme me Tiranën konsiderohet shumë i rëndësishëm në kampin shkodran. Stafi teknik dëshiron që momenti i mirë të cilin po kalon skuadra, ta ruajë edhe në këtë ndeshje, duke menduar marrjen e një rezultati pozitiv dhe shoqërimin pastaj edhe me një tjetër në fundjavë ndaj Laçit për kampionat. Gjithsesi për takimin me bardheblutë drejtuesit e pankinës kuqeblu kanë menduar edhe për ndonjë rrokadë në formacion.

Ajo do të nisë nga porta. Nga sa bëhet e ditur, trajneri Gjoka pasi është konsultuar edhe me ndihmësin e tij Osmani, kanë rënë dakord që në portë të jetë këtë herë Alen Sherri. Futbollisti që muajin e ardhshëm mbush 20 vjeç prej disa kohësh ka pritur momentin e tij dhe tashmë natyrisht që do të kërkojë të tregojë vlerat e tij dhe nëse bind, sigurisht që do të jetë një kandidaturë e fortë për të mos e lëshuar portën as në ndeshjet e kampionatit. Ai në dy javët e fundit ka kaluar tek “Vllaznia B” në ndeshjet ndaj Erzenit dhe Burrelit ku ka treguar personalitet dhe një formë shumë të mirë sportive megjithatë kjo nuk mjafton. Të njëjtën gjë duhet të tregojë edhe nesër ndaj Tiranës.
© shkodrasport.com