Kamzës i duhet të fitojë nesër në fushën e Partizanit për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, duke qenë se fitorja e Vllaznisë rivale në Korçë konsiderohet e sigurt.
Në kampin kamzali ka besim se objektivi do të arrihet në derbin me Partizanin, por kuptohet që duhet përqendrim maksimal dhe fat, sepse kundërshtari është mjaft i fortë.
Trajneri Julian Ahmataj po punon këto ditë edhe për anën psikologjike me futbollistët, por atë e shqetëson gjendja e dy titullarëve.
Hektor Idrizaj nuk luajti me Laçin, pasi u dëmtua në nxemje, kurse Erlis Frashëri u dëmtua gjatë ndeshjes.
Janë dy lojtarë të linjës së djathtë, që nuk janë rikuperuar dhe trajneri është në ankth, sepse bëhet fjalë për dy lojtarë me shumë përvojë, që nëse mungojnë, prishin shumë punë.
Megjithatë, ka shpresë për rikuperimin në kohë të tyre. Me Laçin u dëmtua edhe Fukui, por japonezi është gati./vipsport/
Kthehet ndërkohë kapiteni Sebino Plaku nga skualifikimi. Një rikthim shumë i rëndësishëm, pasi ai është lideri i sulmit dhe ekipit kamzali. / Vipsport.al