Largimi i Christian Panuccit pritet të sjellë një revolucion të vërtetë te skuadra shqiptare e futbollit.

Fillimisht, dyshja Sulejman Mema-Ervin Bulku do të kenë një test të lehtë në letër këtë të hënë, teksa do të vizitojnë Andorën, në kuadër të fazës eliminatore të Euro2020.

Dhe për këtë, formacioni është ai i cili do të lëviz, pasi lojtarët do të jenë zgjedhje të teknikut italian të sapo larguar.

Armando Sadiku pritet të rikthehet në majën e sulmit kuqezi, duke ulur në stol Bekim Balaj, i cili ishte titullar ndaj Turqisë.

Në krahun e tij të majtë do të veprojë Eros Grezda. Ylli i Rangers u preferua vetëm në minutat e fundit nga Panucci, teksa Mema-Bulku besojnë shumë te aftësitë e tij.

Në anën tjetër, Myrto Uzuni shihet pa rival, ndërsa mesfusha do të rikthehet me tre. Xhaka, Memushaj e Abrashi pritet të formojnë digën para mbrojtjes, e cila pritet të jetë e përbërë nga Hysaj e Aliji në krah dhe Ajeti e Ismajli në qendër. Porta do të jetë sërish pronë e Etrit Berishës.

Takimi kundër Andorës do të luhet nesër, duke nisur nga ora 20:45.