Vllaznia është në përgatitjet e fundit për ndeshjen e kthimit të Conference League kundër Linfield. Kuqeblutë u mposhtën 3-1 në transfertë në ndeshjen parë, e tashmë kanë një detyrë shumë të vështirë për të përmbysur rezultatin. E në këtë mënyrë për të tentuar kualifikimin më tej.

Ditën e djeshme shkodranët kanë zhvilluar seancën e rradhës stërvitore. Ku pasdite kanë qenë në fushën sportive të Golemit dhe nën praninë e disa dhjetëra tifozësh zhvilluan edhe një lojë mes grupit në 80 metra të fushës. Grupi ishte i plotë me gjithë lojtarët duke përjashtuar vetëm Kristi Qarrin.

Portieri i Vllaznisë nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme stërvitore. Kjo pasi ka vuajtur një dëmtim të lehtë dhe është vendosur që të mos rrezikohet. Sipas stafit mjekësor të kuqebluve nuk ka asgjë për tu shqetësuar për 22-vjeçarin, që me patjetër do jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes kundër Linfield.

Tashmë Qarri shikohet si titullari i Vllaznisë për portën në sezonin e ri. Besimi i dhënë nga drejtuesit dhe stafi teknik patjetër që e shton akoma më tepër përgjegjësinë tek gardiani. Dhe jo vetëm tek ai, por tek e gjithë skuadra në këtë ndeshje të rradhës, ku pavarësisht humbjes 3-1 në Irlandën e Veriut, në ambientin e futbollit në Shkodër ka optimizëm se ky rezultat mund të përmbyset.
Endri ÇINARI