Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, ka kompletuar 50 ndeshje në krye të “demave të kuq”. Pa diskutim që strategu 54-vjeçar do të dëshironte që ndeshja e tij e 50-të zyrtare në krye të Partizanit të ishte një fitore, por në “Air Albania” kundër Kukësit skuadra e tij nuk shkoi dot më shumë se një barazim 1-1.

BARAZIMET – Barazimi kundër Kukësit mund të pasqyrojë disi aventurën e Dajës te Partizani deri më tani. Në 50 sfida që ka drejtuar, trajneri i të kuqve numëron plot 19 barazime, 10 prej tyre në “shtëpi”, ndërsa 9 në transfertë. Duket si një refren i përsëritur, me ekipin e Dajës që prodhon futboll dhe krijon volum loje, por në fund është rezultati final që ka rëndësi dhe barazimet kanë qenë rezultate shumë të përsëritshme e pothuajse në çdo rast, ka qenë Partizani që ka humbur 2 pikë. Me kaq shumë barazime deri më tani, Daja prej kohësh po vepron që ta ndryshojë këtë gjë, por duket se ende nuk ia ka arritur.

GOLAT – Të rralla kanë qenë ndeshjet kur Partizani nuk ka shënuar nën drejtimin e Dajës. Që nga ardhja në pankinë e trajnerit kryeqytetas, të kuqtë kanë qenë një makineri golash, çka e tregojnë dhe statistikat. Në 50 ndeshje zyrtare nën drejtimin e Dajës, Partizani ka shënuar plot 77 gola, 40 në ndeshjet brenda dhe 37 në transferta. Sa u takon golave të pësuar, të kuqtë kanë pësuar 37 herë, 25 prej tyre në ndeshjet jashtë.

FITORET – Edhe pse është krijuar iluzioni që Daja është “mbreti” i barazimeve, statistikat thonë ndryshe. Trajneri ka arritur ta drejtojë Partizanin në 23 fitore, madje shumë triumfe i ka edhe në ndeshjet jashtë. 11 takime ka fituar Daja në transfertë, ndërsa 12 si ekip pritës. Një bilanc tepër pozitiv për Dajën në krye të Partizanit, ku numëron vetëm 8 humbje.

DAJA, I PAFAT – Trajneri i Partizanit mund të konsiderohet edhe i pafat për aventurën e tij te “demat”. Të gjithë e dimë se Partizani ka tifozërinë më të madhe në Shqipëri dhe kjo u pa edhe në sfidën kundër Kukësit, ku ishin tepër të zhurmshëm dhe i dhuruan ekipit një mbështetje për më shumë se 2 orë, nga fillimi i nxehmjes e deri në vërshëllimën finale. Por, për shkak të pandemisë, Partizani nuk i ka pasur tifozët e tij dhe ky ka qenë një minus i madh për Dajën dhe të besuarit e tij. E me rikthimin e tifozëve, Daja më në fund do ta ketë dhe këtë “armë” në arsenalin e tij.