Ardit Krymi i Vllaznisë dhe Vitor Feizhao i Kukësit u transferuan para disa ditësh te kampionët e Bjellorusisë, Shaktjor Soligorski.

Në turin e parë në Champions, Shaktjor do të jetë përballë kampionëve të Sllovenisë, Maribor, dhe ndeshjen e parë luajnë në transfertë.

Ndërsa në sfidën e kthimit, më 13 korrik, Krymi dhe Feizhao do të kenë arbitra shqiptarë në fushë.

Ndonëse bjellorusët janë pritës, ndeshja do të luhet në fushë asnjanëse në Turqi.

Ky spostim vjen pas vendimit të UEFA-s, ku si palë e përfshirë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ekipet bjelloruse janë të detyruara që takimet pritëse t’i luajnë në fushë asnjanëse.

Kryesor i kësaj ndeshjeje që do të luhet në stadiumin “Yeni Sakarya Ataturk”, do të jetë Enea Jorgji nga Elbasani dhe ndihmës të tij do të jenë dy asistentët nga kryeqyteti, Rejdi Avdo dhe Ani Koçiaj.

Risia është Emanuela Rusta, që është përzgjedhur si gjyqtare e katërt. Pa dyshim një arritje dhe vlerësim për trupën gjykuese nga Shqipëria.