Nga Endri ÇINARI

Vllaznia-Skënderbeu do jetë dueli që do mbyllë vitin 2023 për të dy ekipet. Një ndeshje që pritet të sjellë një 90 minutësh shumë interesant mes dy skuadrave. Por si rrallë herë në ndeshjet e futbollit tonë, në fushë nuk do ketë “ish-ë” të dy ekipeve. Nga 11-tshet që pritet të jenë në fushë, asnjë nga lojtarët nuk ka luajtur më parë me kundërshtarin.

Por tek Vllaznia janë pjesëtarë të stafit që kanë qenë më parë pjesë e Skënderbeut. Duke nisur që nga drejtori teknik, Tefik Osmani. Ish-mbrojtësi ka qenë pjesë e bardhekuqve në të shkuarën si futbollist. Duke lënë gjurmët e tij në qytetin juglindor dhe duke qenë pjesë e Skënderbeut të artë, që bëri histori në Europë. Por është edhe një tjetër pjesëtar i stafit që ka luajtur më parë me Skënderbeun.

Fjala është për zëvendës trajnerin e shkodranëve, Ndriçim Shtubina. Në sezonin 2008-09, 36-vjeçari ka luajtur për një edicion në Korçë, ku ka shënuar edhe 3 gola. Përsa i përket futbollistëve që kanë luajtur me Skënderbeun në të shkuarën, ai është Dritmir Beci tek Vllaznia.

Por mbrojtësi nuk pritet si titullar në duelin ndaj ish-ekipit të tij ditën e nesërme. Megjithatë kushdo që të zbresë si titullar për kuqeblutë, detyra është që në ndeshjen e fundit të vitit të arrihet një rezultat pozitiv. Edhe tek Skënderbeu është Ardit Nikaj, një futbollist i zhvilluar tek akademia Vllaznia, por që si profesionist ka luajtur vetëm me Skënderbeun në futbollin tonë.