Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit të këtij viti ndaj Ukrainës, e cila njëkohësisht është edhe sfida e fundit e Nations League. Duel ky që do të luhet ditën e nesërme në “Air Albania” duke nisur që nga ora 20:45.
Një sfidë shumë e rëndësishme për vendin e parë në grupi B1, ku përballë njëra-tjetrës vihen 2 skuadrat që kanë vetëm 2 pikë diferencë mes tyre. Në fakt për kuqezinjtë e Sylvinhos 3 pikët janë “jetike” për të vendosur fatet e tyre në Nations League.
Kombëtarja jonë nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjë një rivali ndaj të cilit kanë kundër edhe statistikat. Në 7 duelet direkte mes tyre, 5 janë fituar nga Ukraina, me Shqipëria që ia ka dalë vetëm në një rast të sigurojë fitoren, teksa në një tjetër sfidë gjithçka është mbyllur në barazim.
Fitorja e parë dhe e vetme deri tani e skuadrës tonë është para dy muajsh, ku kuqezinjtë triumfuan 2-1 ndaj ukrainasve në transfertë, takim i vlefshëm për Nations League. Të njëjtën gjë do të tentojnë të bëjnë edhe në “Air Albania” mbrëmjen e nesërme.
Kuqezinjtë përballë ukrainasve kanë pësuar 15 gola, ndërsa kanë mundur të shënojnë vetëm 6. Statistika këto që tregojnë se Kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho nuk ka rrugë tjetër veçse fitores./newsport/