Vllaznia vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së radhës në kampionat, që do ta luajë kundër Kastriotit të shtunën në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Rikthimi i qendërmbrojtësit kroat, Marko Juriç, i cili ka lënë pas dëmtimin, shton alternativat e trajnerit Mirel Josa në repartin e prapavijës.

Sinjale pozitive vijnë edhe nga mbrojtësit e krahut, Esin Hakaj dhe Geralb Smajli, të cilët munguan në Rrogozhinë për shkak të problemeve fizike.

Mësohet se dje lojtarët janë futur në stërvitje me grupin, por dy ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për ta, nëse do të grumbullohen ndaj Kastriotit apo sërish do të lihen pushim nga stafi.

Lajm i mirë për trajnerin Josa është se Liridon Latifi ka rritur parametrat fizike dhe pritet të jetë sërish titullar, ndërsa e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bekim Balajn.