Vllaznia do jetë sot vizitore në Kamëz kundër Kastriotit, në duelin që do jetë i vlefshëm për javën e 14-të të Superiores. Një sfidë që luhet në orën 13:00 dhe që i sheh të dy ekipet pas rezultateve negative, ku shkodranët u mposhtën në shtëpi nga Egnatia me rezultatin 0-1 e krutanët humbën 4-0 kundër Tiranës.
Prandaj ky shihet si një duel ku të dy ekipet do përpiqen të dalin nga kriza. Me Kastriotin tashmë që ka larguar trajnerin Çela dhe ka vendosur në krye Ard Memen.
Kryeqytetasi do ketë debutimin sot kundër Vllaznisë në stol për Kastriotin, por duket se ai nuk është se do bëjë shumë ndryshime në formacion duke qenë se ka vetëm 2 ditë në krye të krutanëve. Mema patjetër që pritet ti besojë pjesës dërrmuese që ka përballuar edicionin deri më tani.
Kështu në portë pritet Sali, i paprekshëm në këtë sezon. Në mbrojtja nga e djathta duket se do jetë Kodra, me Stojanoviç dhe Selmanin në qendër e ndërsa majtas pritet ti besohet Prenkoviç. Në mesfushë krahas dyshes shkodrane, Karakaçi dhe Hasani pritet që të jetë edhe Onanuga. Nga krahët e sulmit Arapi dhe Greca do mbështesin Morbeck.
Sulmuesin brazilian që është edhe shënuesi më i mirë i krutanëve me 3 gola. Ky besohet të jetë edhe formacioni startues i Memes, që në fushën e tij do kërkojë një rezultat pozitiv, qoftë edhe për vetë faktin se është një ndeshje debutuese për të.
Endri ÇINARI