Gilman Lika parashikon një Tirana-Vllaznia shumë të balancuar të shtunën në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”. Ish-mesfushori që ka mbajtur shiritin e kapitenit të të dyja skuadrave ndër vite, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka theksuar se ky është shansi i fundit i shkodranëve për t’u futur në rrugën drejt titullit kampion.
Sipas Likës, as barazimi nuk mund të kënaqë Vllazninë në këtë takim, duke pasur parasysh faktin që ka një diferencë të madhe pikësh.
Gilman, kjo intervistë përkon me 35-vjetorin e lindjes suaj dhe ju gjen si trajner. Si janë tani emocionet që nuk jeni më në fushë si futbollist?
Shumë faleminderit për urimin. Për mua është pak e vështirë për të ndarë njërën nga tjetra, pra lojtarin dhe trajnerin. Megjithatë, tashmë kam filluar që të përshtatem me profesionin e trajnerit. Nuk diskutohet që është shumë më ndryshe, por e bëj me qejf këtë punë.
Sa herë luhet Tirana-Vllaznia besoj se te ju nuk mungojnë emocionet e kësaj përballjeje. Ju ka mbetur në memorie ndonjë ndeshje që do ta kujtoni gjithë jetën nga kjo “Klasike”?
Mbaj mend shumë ndeshje të bukura që kanë zhvilluar këto dy skuadra, si kur unë kam qenë pjesë e Vllaznisë, po ashtu edhe Tiranës, por doja të veçoja dy momente si më të bukurat. E para është ajo kur kam qenë pjesë e Vllaznisë në vitin 2008 dhe arritëm të mundnim Tiranën në finalen e Kupës, duke fituar atë trofe. Unë shënova golin e parë të asaj fitoreje 2-0.
Momenti i dytë më i bukur ka qenë kur isha me bardheblutë dhe takimi luhej në Shkodër. Ndeshja shkoi fillimisht 2-0 për Vllazninë, por Tirana ku unë bëja pjesë bëri një barazim 2-2 në pjesën e dytë, duke i tejkaluar pritshmëritë e atij takimi.
Si i shikoni skuadrat sot, çfarë i bën të ngjashme dhe të kundërta nga njëra-tjetra?
Të ngjashëm kanë faktin që janë ekipe me traditë të madhe dhe mentaliteti i tyre është gjithmonë për të fituar çdo ndeshje.