Pavarësisht dështimeve në sezonin e kaluar me futbollistët malazezë, sërish Vllaznia duket se I ka hedhur sytë nga tregu malazez. Dy drejtuesit e lartë të saj, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima  kanë nisur punën për ndërtimin e skuadrës së re. Përveç tratativave me kandidatët për trajner, ata po shohin edhe mundësinë e marrjes së lojtarëve cilësorë në merkato. Pikërisht për këtë arsye, pasditen e së mërkurës, të dy ata kanë udhëtuar drejt Podgoricës për të ndjekur ndeshjen finale të Kupës së Malit të Zi. Ata janë akomoduar në tribunën e stadiumit “Crno Gorum” dhe kanë ndjekur ndeshjen finale Çelik- Rudar me laps në dorë. Në pamje të parë favorite për ta fituar Kupën ishte skuadra e Rudarit të Plevles ngaqë nuk luante në superligën malazeze ndërsa kundërshtari I saj Çelik, vinte nga kategoria e parë. Megjithatë në fushën e lojës ka qenë tjetër gjë. Ekipi I Çelikut që kishte tashmë në krye të tij një president të fuqishëm, jo vetëm kishte investuar për t’u ngjitur në superligë por edhe për ta fituar kupën. Dhe ia ka dalë, teksa ka fituar këtë finale me rezultatin 2-1. Ende nuk ka asnjë prononcim të drejtuesve të Vllaznisë nëse në këtë takim ka spikatur ndonjë futbollist apo jo, sepse në fakt, këto dy skuadra nuk shquhen për ndonjë cilësi të madhe të lojtarëve në rradhët e tyre. Por edhe nëse ata kanë identifikuar ndonjë futbollist që mund t’u hyjë në punë, sigurisht që nuk do vendosin gjë, veçse do ia propozojnë trajnerit të ri të ekipit për ta parë vetë ai. Në fakt përvoja e sezonit që sapo lamë pas me futbollistët malazezë, nuk ka qenë shumë e mirë për Vllazninë sepse në rradhët e saj kanë qenë disa futbollistë nga ky vend dhe vetëm ndonjëri prej tyre e ka justifikuar siç duhet veten. Por vëmendja e drejtuesve shkodranë nuk ka qenë e përqendruar vetëm në Mal të Zi. Pak kohë më parë, Grima e Shaba kanë qenë edhe në Burrel për të ndjekur ndeshjen Burreli- Luftëtari. Arsyeja ka qenë vëzhgimi I disa futbollistëve shkodranë që luajnë kryesisht tek skuadra gjirokastrite dhe më konkretisht Baci apo dhe Rraboshta. Ajo sigurisht që nuk ka qenë një ndeshje e mirë për Luftëtarin dhe ndoshta futbollistët nuk janë shprehur siç duhet në fushë, por e rëndësishme është që lojtarët kanë qenë në vëzhgim nga drejtuesit e Vllaznisë. E njëjta situatë është përsëritur edhe në një ndeshje të Besëlidhjes ku sërish janë parë me vëmendje disa futbollistë shkodranë që luajnë tek skuadra lezhjane. Nga këto vëzhgime sigurisht që ata tashmë kanë krijuar një ide për secilin prej këtyre futbollistëve. Ata do të tentojnë të risjellin ndonjërin prej tyre sërish në Shkodër ndërkohë që interesante është të mësojmë se çfarë përshtypjesh kanë sjellë me vete për futbollistët malazezë dy drejtuesit e Vllaznisë. Skuadra ka nevojë për disa ndërhyrje dhe duhen medoemos përforcime për çdo repart me përjashtim të portës. Se ku do gjenden lojtarët, kjo mbetet për t’u parë. Objektivi ka qenë për kthimin e disa futbollistëve shkodranë por kjo dëshirë duket se ka mbetur në vend-numëro ngaqë ata janë nën kontrata me ekipet e tjera.
Gjergj KOLA