Kujtim Shaba, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe ish-administratori i klubit kuqeblu ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai në fjalët e tij, ka analizuar klasiken e fundit, Tirana-Vllaznia, duke theksuar se ishte një lojë e mërzitshme dhe se rezultati ishte i drejtë. Ish-mbrojtësi, po ashtu, komenton edhe lojën e Vllaznisë, ku ka disa këshilla për kuqeblutë, për të cilët tregon se u mungon “plani B”.

Tirana-Vllaznia, një barazim 0-0, i drejtë?

Ishte një ndeshje pa shumë emocione, pa ritëm dhe pa grintë nga ana e të dyja ekipeve. Vllaznia nuk u ngrit asnjëherë mbi nivel, e ndoshta diçka më mirë ishte Tirana, pasi u përpoqën, por pa cilësi dhe saktësi. Ashtu siç e tregon rezultati, që mund të jetë më i mërzitshmi për një ndeshje futbolli, ashtu ishte edhe klasikja e fundit. Barazimi ishte i drejtë për atë çfarë ekipet prodhuan në fushën e lojës.

Ndryshimet në formacion këto javë si i komentoni?

Vllaznia iu ka dhënë historikisht hapësira djemve të rinj dhe shkodranë. Kjo, pasi kanë edhe më pak kosto për klubin e mund të përfitohet prej tyre. Nuk e kuptoj pse Dodaj po qëndron në stol, sepse është një lojtar që ndoshta u aktivizua nga “halli” dhe sepse ekipi kishte shumë mungesa, por e mori me meritë formacionin. Dhe është një lojtar që pretendon të shesësh, por aty ka edhe emra si Tafili apo Delaj, që ende nuk iu është dhënë shansi sa duhet.

Sa varet kjo Vllazni nga Balaj?

Çdo skuadër ka një “yll” ku mbështetet dhe fatmirësisht Vllaznia ka “yllin” më të madh të kampionatit, që është Balaj. Edhe ai i vetëm nuk mund të funksionojë, pasi e kemi parë që thuajse gjatë gjithë kohës luhet me topa në drejtim të Balajt, në mënyrë që të krijohet sponda apo ndonjë rast i rrezikshëm. Balaj e kryen në perfeksion detyrën e tij si sulmues dhe kapiten. Por ekipi duhet të ketë edhe një “plan B”, kur gjërat nuk ecin. Plan që momentalisht te Vllaznia nuk e shoh.