Ish-futbollisti kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë dhe ish-administratori i këtij klubi, Kujtim Shaba, ka shigjetuar drejtuesit shkodranë si shkaktarët e kësaj gjendjeje të cilën po kalon ekipi kuqeblu. Mungesa e kërkesës së llogarisë nga ana e tyre, kanë bërë që edhe ekipi të kishte këto oshilacione.

Në një inervistë për “Panorama Sport” ai theksoi se lëvizjet në pankinë mund të rezultojnë efikase dhe skuadra të arrijë që të kalojë ngërçin psikologjik në të cilin ndodhet në këtë periudhë. Shaba beson te fitorja ndaj Erzenit dhe e quan si pikë kthese për vazhdimësinë.


I zhgënjyer nga kjo performancë e Vllaznisë?

Normalisht që po. Unë nuk do të kisha qenë dakord në këtë moment për të ndryshuar trajner, sepse Josa duhet të ishte deri në fund të kampionatit dhe më pas të kishte marrë përsipër ose përgjegjësinë ose suksesin. Kalimi nga njëri te tjetri, pra nga Josa te Miloti, nuk pritej që të kishte një frymë të re. Megjithatë, le të shpresojmë që trajneri i ri të sjellë një frymë të re. Por se sa do ta arrijë, kjo mbetet për t’u parë. Ky trajner ka një gjë që nuk ka përgjegjësi për atë që janë afruar, por ka mundësi që të sjellë një frymë të re dhe më shumë ngritje në aspektin psikologjik.


Është kjo Vllaznia që u mësua me humbje e barazime?

Jo nuk mendoj kështu. Unë mendoj se Vllaznia me buxhetin dhe me futbollistët që ka ishte përgatitur për të dalë kampione. Vllaznia këtë sezon i ka marrë Tiranës 7 pikë dhe Tirana sot është 9 pikë para Vllaznisë, ku i bie që Tirana të ketë rikuperuar 16 pikë e tregon se Vllaznia nuk është për kampion. Kur me Partizanin statistikat i ke të barabarta unë mendoj se teorikisht Vllaznia do të ishte në vendin e parë. Por nuk ka ngjarë kështu.

Çfarë nuk shkon?

Kur e shikoj Vllazninë që fillon lojën në mënyrë akademike, me pasime të shumta, avash-avash, e minutat kalojnë futet nën presion. Por (qesh), mesa kam konstatuar duhet të themi “ishallah” bie shi, se kur bie shi Vllaznia ka forcë, ka ritëm, ka shpirt gare.


Pse nuk po reagon?

Vllaznia ka shumë javë që është nën presion, duke filluar që para shtatë apo tetë javësh, që po ikën trajneri, s’po ikën trajneri, gjëra që e fusin skuadrën nën presion. Por unë them se presidenti i ekipit duhet që të kërkojë llogari siç duhet dhe të shikojë se çfarë nuk është bërë mirë në të shkuarën. Një lojtar ka të drejta, ka edhe detyrime, dhe presidenca këto duhet që t’ia vërë në dukje gjithsecilit.

Jo të kalojnë analizat, iku edhe ky takim, të mendojmë për tjetrin. Por të ishin ndalur dhe të kishin parë ku çaloi e të kishin marrë masa e duhura. Drejtuesit e klubit mbajnë peshën kryesore si një kryefamiljar për shtëpinë e vet. Vllaznia s’e ka luksin për të pasur në stol afro 30 mijë euro. E dyta, presidenti me këtë performancë, pasi është në fazë kritike dhe Vllaznia e ka të domosdoshme që të jetë në Kupat e Europës, pasi e ka buxhetin më të madh sesa çdo ekip i Superiores. Te Vllaznia mund të them se mungon optimizmi në skuadër. Këtu duhet të ndryshojë edhe trajneri i ri.


Besoni te ndryshimi?

Po ta shikosh ekipin e Vllaznisë nga elementët është një skuadër e ndërtuar për kampion. Ka lojtarë cilësorë, por duhet që te Vllaznia të ndërtohet edhe bërthama me lojtarë shkodranë që ndiejnë edhe peshën e fanellës. Unë të them të drejtën besoj.

Për sa i përket ndeshjes me Erzenin, pasi është një nga skuadrat e vetme që i ka marrë 7 pikë Vllaznisë në tri ndeshje çfarë mendimi keni?

Unë mendoj se ka ardhur momenti që ekipi të bëjë kthesën në rezultate dhe në lojë. Por për mua tani kanë rëndësi pikët. Në ekip duhet që të jenë optimistë dhe të shikojnë përpara. Të jenë lart psikologjikisht dhe të mos mbajnë mendjen tek ajo që ka kaluar, por te kjo përballje. Kam besimin se Vllaznia do të fitojë dhe do të fillojë që të kalojë atë ngërç që pati në 7 apo 8 takimet e shkuara.