Dita e sotme ka dhuruar sfidën shumë interesante në kampionatin kombëtar të shahut për meshkuj në mes ekipeve të Teutës dhe Vllaznisë. Këto dy ekipe mbanin vendin e parë dhe të dytë deri ditën e sotme, që është edhe e parafundit e kampionatit. Shahistët shkodranë në rast fitoreje ndaj durrsakëve, mund të siguronin vendin e parë dhe të shpalleshin kampionë të vendit por nuk ka ndodhur kështu. Në takimin e sotëm mes këtyre dy ekipeve, ka qenë Teuta ajo që ka triumfuar duke fituar me rezultatin e pastër 4-0, çka do të thotë se shahistët e saj kanë triumfuar në të katër tavolinat ndajt atyre të Vllaznisë dhe pikërisht Ashikut, Adhamit, Tavasjes dhe Nakos. Me humbjen e sotme, merr fund çdo shpresë e ekipit shkodran për titullin kampion, madje kjo humbje mund t’i kushtëzojë asaj edhe vendin e dytë ngaqë Butrinti i Sarandës me fitoren e arritur në këtë tur, e ka kaluar me pikë. Pavarësisht kësaj humbje, shahistët shkodranë i kanë dhuruar një bukuri të madhe kampionatit duke qenë ndër protagonistët kryesorë të tij.
www.shkodrasport.com