Humbja e fundit me Egnatian e ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në kampin e Vllaznisë. Shkodranët me gjashtë pikët e grumbulluara në katër javët e para, kanë barazuar ecurinë e startit të edicionit të kaluar, pikërisht në sezonin 2021-2022.
Megjithatë, shifra, fakte dhe kuriozitete tregojnë rritjen progresive të futbollit në Shkodër tre vitet e fundit. Tashmë, Vllaznia është një ekip i investuar dhe me objektiva të qartë.
Në krahasim me sezonin e shkuar, aktualisht Vllaznia ka një “marsh” më të lartë sa i takon pritshmërive dhe synimeve. Ndërkohë, “Shkodra Sport” ju sjell disa statistika dhe fakte krahasuese mbi ecurinë që ka pasur skuadra shkodrane në katër javët e para.
Vjet në katër javët e para, Vllaznia kishte siguruar gjashtë pikë nga një fitore dhe tre barazime. Kuota e gjashtë pikëve në katër javë, sa ka edhe aktualisht, për Vllazninë është e njëjtë me sezonin e kaluar.
Pas Xhuliano Skukës, i cili ka tre gola në katër javë, në ndjekje të tij, tashmë krahas disa emrave të tjera, është edhe mesfushori i Vllaznisë, Herald Marku, që ka shënuar dy gola në 360-minutat e para të këtij kampionati.
21 është numri i futbollistëve të aktivizuar deri më tani tek Vllaznia, kur dihet se kjo skuadër ka një organikë të pasur me futbollistë. Portieri Bojan Zogoviç, kapiteni Erdenis Gurishta dhe Marko Juriç janë futbollistët e vetëm, që i kanë luajtur të plota 360-minutat e para të kampionatit.
Deri më tani, Vllaznia është ndëshkuar me tetë kartonë, shtatë të verdhë dhe një të kuq, që te shkodranët i kanë marrë shtatë futbollistë. Momentalisht, dy kartonë ka Kaina. Nga një të verdhë kanë gjashtë futbollistët, kapiteni Erdenis Gurishta, Darko Bulatoviç, Marko Juriç, Dajan Shehi, Mehdi Çoba dhe Herald Marku me karton të kuq.
Nga grupi i 21-futbollistëve që kanë luajtur në katër javët e para, Vllaznia ka një moshë mesatare prej 24.5 vjeç. Më “të moshuarit” janë Bojan Zogoviç dhe Darko Bulatoviç, që të dy në moshën 33-vjeçare. Ndërkohë, më i riu në skuadër është Antonio Delaj, i cili sapo ka mbushur 19-vjeç, i datëlindjes 6-shtator 2003.
Maringlen ZHIVANI