Xherdan Shaqiri është shndërruar në futbollistin më të përfolur në Angli në ditët e fundit, pas dy golave të shënuar në fitoren e Liverpoolit ndaj rivalit më të madh, Manchester Unitedit.
Ylli i skuadrës së madhe ka dhënë një intervistë të gjerë për gazetën kryesore britanike, The Guardian, në të cilën ka folur edhe për Kosovën.Fillimisht, Shaqiri ka thënë se të gjithë në klub po i thonë se tashmë është bërë legjendë e klubit, pas dy golave të fitores ndaj Unitedit.
Ai e ka përmendur faktin që ka lindur në Kosovë, dhe që ka lidhje të veçanta me të dyja shtetet.“Mund ta shihni historinë time në këpucët që bartë, me dy flamuj. Shumë njerëz e kanë keqkuptuar këtë. Unë kam lindur në Kosovë dhe jam rritur në Zvicër. Disa njerëz mendojnë që nuk jap gjithçka për Zvicrën, sepse e kam flamurin e Kosovës në njërën këpucë, por e kanë gabim.
Kjo është një pjesë e madhe e historisë sime, e jetës sime, që do të jetë gjithmonë me mua. Flamuri i Zvicrës është në këpucën time të majtë, sepse shënoj me të, por kundër Unitedit, njërin gol e shënova me të majtën, kurse tjetrin me të djathtën, prandaj shënova për të dyja shtetet. Për Botëror i kisha flamujt më të mëdhenj, tani i kam më të vegjël, por ende janë aty”, ka thënë Shaqiri, transmeton KTV.
Pas transferimit te Liverpool, pati edhe njerëz që e kritikuan, duke thënë se nuk është futbollist i kalibrit për skuadër kaq të madhe, por Shaqiri i ka heshtur edhe kritikët më të mëdhenj.