Ndeshja Tërbuni- Veleçiku që luhet nesër pasdite në orën 15.00 në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës pritet me interes në të dy kampet. Nëse koplikasit janë të vendosur për të mos dalë pa pikë nga kjo sfidë, vendasit kuptohet që e kanë detyrim fitoren.
Kështu mendon edhe shefi i klubit të Tërbunit Dritan Frroku i cili në një prononcim të dhënë për mediat në këtë pragndeshje kërkon fitoren nga skuadra e tij, sepse siç e thotë edhe vetë, “Tërbunit nuk i bën punë as barazimi ndaj koplikasve.
“Jam pak i shqetësuar sepse ekipit i mungojnë disa nga lojtarët bazë por kam besim se trajneri Dalipi do ta kalojë me sukses këtë situatë. Po bëjmë gjithçka që ta rregullojmë fushën e dëmtuar nga moti i keq. Mungesa e disa lojtarëve titullarë dhe sidomos e kapitenit Metani, e dëmton ekipin.
Kërkoj nga lojtarët që të jenë të vëmendshëm dhe me këmbë në tokë. Nuk na bën punë as barazimi ndaj Veleçikut dhe besoj se Tërbuni i ka kualitetet për ta fituar këtë ndeshje. Koplikasit janë të mirëpritur, ashtu siç e ka zakon Puka t’i mirëpresë të gjithë, por duhet t’i mundim në fushën e lojës. Uroj që në këtë ndeshje të kemi edhe gjykim korrekt.
I falenderoj ultrasit “Shqiponjat e Veriut” që kishin edhe 13 vjetorin e krijimit të tyre. Janë vërtetë lojtari i 12-të për Tërbunin dhe shpresoj që edhe këtë herë të mbushin shkallët e stadiumit dhe ta mbështesin skuadrën tonë për arritjen e një fitoreje që do të na ndihmonte shumë në ecurinë e mëtejshme në këtë fazë delikate të kampionatit”- ka thënë shefi i klubit Frroku.
© shkodrasport.com