Orges Shehi ka folur pas barazimit 1-1 kundër Kastriotit. Trajneri i Tiranës u shpreh i pakënaqur me rezultatin e takimit, ndërsa theksoi se mënyra se si pësuan golin është e pafalshme.

Tekniku i bardhebluve ka besim te ekipi e veçanërisht te Ngoo që sot mori kartonin e tretë të verdhë në tre ndeshje të luajtura. Në fjalën e tij për Supersport, Shehi deklaroi:

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, por nga ajo që prodhuam sidomos në pjesën e dytë, jemi të kënaqur. Ndeshje të tilla duhen vrarë. S’duhet të shpërdorojmë kaq shumë. Do ta rregullojmë në vazhdim.

Ngoo? Michaeli është lojtari ynë kryesor. Kundërshtarët kanë vështirësi për ta markuar. Duke qenë lojtar luftarak, disa kartona ndoshta mund t’i eleminojë, por me atë provokim që kishte besoj se u tregua i qetë.

Linja e dytë? S’mund të ndajmë repartet se kush bën punën e vet. E rëndësishme është që u shfaqëm para porte. Linja e dytë është në mbështetje gjithmonë. Sigurisht që asnjëherë s’jemi të kënaqur. Ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar.

Pjesën e parë duhet të ishim më cinik. Deri diku nuk ishim në fushë. Është gjynah të marrësh gol nga 60-70 metra, prej nga ku morëm golin. Kishim raste që s’i finalizuam. I dhamë shkas kundërshtarit për të na e bërë më të vështirë”, përfundoi ai./newsport/