Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli për MCN TV, pas humbjes që skuadra e tij regjistroi ndaj Laçit. Shehi deklaroi se skuadra shpërdoroi shumë raste dhe më pas kaluan në presion sepse nuk po shënonin të dytin.

“Kemi shpërdoruar shumë. Në momentin kur duhet të mbyllnim ndeshjen, i dhamë zemër kundërshtarit. Hymë në presion, duke humbur raste. Të qajmë mungesat, është e pavend. E kishim ndeshjen në dorë dhe për këtë ka keqardhje.

E kam thënë që shkon situata ndryshe nëse shënojmë. Hymë në presion duke humbur raste. Lojtarët që futen duhet të ndryshojnë marshin, ose të kenë egërsi. Futëm Mehmetin, sepse Rrapaj u konsumua shumë. Duhet ta kishim zgjidhur më mirë.

Na vjen keq që humbëm ndeshjen. Na mbetet vetëm të punojmë dhe të përmirësojmë gjërat e mira. Futbolli i tillë është, e humb ndeshjen edhe kur nuk e meriton. Nuk na erdhën golat nga presioni i kundërshtarit, por nga butësia jonë në luftën për topin”.