Tirana arriti të merrte një fitore të rëndësishme 2-3 ndaj Teutës. Bardheblutë edhe pse kishin disa mungesa për shkak covid-19, fituan duke përmbysur rezultatin dhe ngjiten të vetëm në krye. Në fund të ndeshjes për “Gol pas Goli”, trajneri i Tiranës, Orges Shehi u shpreh:

Ndeshja dhe mungesat? “Për situatën që kemi kaluar e dinim që nuk do t’i kishim disa lojtarë. Të hënën kishim vetëm 10 lojtarë dhe në Kupë luajtëm me këtë vendosje për t’u përshtatur pasi ishim në situatë alarmante”.

Sulmi? “Ne jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në të tjera kemi dalë para portës dhe kjo është gjë e mirë. Sot e kishim përgatitur kështu ndeshjen me Xhixhën dhe e rëndësishme është të dalim para portës kundërshtare dhe t’i godasësh kur ata lënë hapësira”.

Mesfusha? “Jam i kënaqur me 3 lojtarët. Veseli luante në rolin e tij, Toli kishte detyrë për të markuar Kallakun që është një lojtar shumë cilësor dhe pasën e fundit e ka shumë të mirë. Totre kishte detyra në faza mbrojtëse dhe në fazën sulmuese kishte detyrë që të rrinte pas sulmuesit. Jam i kënaqur nga Toli dhe Totre që kishin detyra specifike”.

Deklarata e Martinit para ndeshjes? “Situatën tonë të gjithë e dinin. Mezi kemi rikuperuar Hoxhallarin, unë nuk jam doktor, por trajner. Dihet që lojtarët e kalojnë Covid-19 pak më shpejtë dhe dua të përgëzoj Seferin që bëri shumë mirë. U pa që edhe Ngoo që kishte vështirësi pasi dihen pasojat e Covid-19 dhe unë nuk dua të dëmtoj lojtarët e mi”.

4 derbi dhe një ndeshje me Vllazninë? “Në mentalitetin tim, skuadra përgatitet kështu. Unë i kam qejf ndeshjet e forta dhe këtë gjë u transmetoj lojtarëve. Nuk e dimë fatin tonë, por duhet të bëjmë ç’mos që fati të jetë me ne pasi fati ndihmon më shumë guximtarët”.

Derbi ndaj Partizanit? “Në derbi nuk ka favorit pasi derbi i tillë është. Mendoj se për derbin të gjithë mendojnë dhe kjo nis pas fitores sot. Derbi është ndeshje speciale dhe lojtarët do ta shijojnë për të bërë krenarë veten e tyre, familjen e tyre, por edhe tifozët. Derbi ka ngarkesë dhe unë dua t’i transmetoj lojtarëve qetësi dhe nuk duhet të jemi euforik. Vjet kur pësuam humbjen, fituam në Laç dhe unë u thashë lojtarëve që ajo që iku nuk kthehet më”.

Vendi i parë? “Kur je pjesë e një skuadre të madhe, skuadrës më të madhe në vend ka presion pasi Tirana është ndërtuar për titull gjithmonë. Duhet të jemi skuadër që të mos kemi limite dhe të përmirësohemi gjithmonë. Jemi të bashkuar dhe kjo është gjë pozitive për skuadrën”, u shpreh Shehi.